“Next Generation Europe” – Regaining new European and democratic momentum

Albanian translation of the joint op-ed written by the “Cres Summer School” participants 2024, Tesa Kabashi, November 2024

Një Europë e jetueshme, rikthimi i shpresave të rinisë

Kur ndodhi Brexit-i, Laura ishte shumë e re për të votuar. Kanë kaluar tetë vjet, por ajo ende e kujton mëngjesin kur u publikuan rezultatet. Atë ditë, ajo shkoi në shkollë e dëshpëruar, dhe shumica e shokëve të saj në Mbretërinë e Bashkuar ndiheshin njejtë. “Votimi ishte vendimtar për një gjeneratë të tërë,” thotë ajo, dhe më vonë, gjatë aplikimeve në universitete, njerëzit kuptuan sa shumë mundësi u ishin marrë. Edhe pse shumica e të rinjve ishin kundër largimit nga Bashkimi Evropian (BE), vota e popullsisë së moshuar vulosi Brexit-in.

Megjithatë, ndërsa qytetarët e vendit që u largua nga BE-ja arritën të njohin përfitimet e tyre vetëm pas largimit, popullatat e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE prej vitesh po bëhen gjithnjë e më të frustruara. Tesa, nga Prishtina, shpreh se brezi i ri është rritur me idenë e një të ardhmeje brenda BE-së. Kosova është vendi më i ri evropian, por tani të rinjtë ndihen të pasigurt për rrugën e anëtarësimit në Europë. Fushatat informuese që portretizojnë një të ardhme evropiane për Kosovën duken të largëta nga realiteti për një pjesë të madhe të popullsisë, duke paraqitur objektiva që nuk përputhen me gjendjen aktuale në terren. Në të njëjtën kohë, mungesa e informacionit të gjithanshëm vret shpresën, duke bërë që të rinjtë të bëhen gjithnjë e më skeptik.

Vepro para se të jetë tepër vonë

Ana, nga Zagrebi, beson se për njerëzit në Kroaci, anëtarësimi në BE ishte një arritje historike që ndodh vetëm një herë në jetë. Më shumë se një dekadë pas këtij momenti, shoqëria ende ndjen ndikimin e madh të anëtarësimit në BE, veçanërisht në financa dhe infrastrukturë. Megjithatë, ekziston ndjesia se interesat e vendeve më të vogla nuk dëgjohen në mënyrë të barabartë, dhe vendimmarrësit duken të shkëputur nga mendimet dhe nevojat e përditshme të njerëzve.

Ka shumë elemente që ndikojnë në opinionin publik. Komunikimi, apo edhe mungesa e tij, është një prej tyre. Si mund të komunikohet para se të jetë tepër vonë? Vlerat evropiane, rëndësia e demokracisë, respekti për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, sundimi i ligjit dhe barazia, janë diskutuar qindra herë dhe janë të përfshira në traktate. Megjithatë, zbatimi dhe mbrojtja e tyre është një histori tjetër, shumë më e vështirë.

Po vlerat tona?

Politikat aktuale në Evropë janë të ndikuara nga fragmentimi gjeopolitik, përballjet e shumta dhe konkurrenca. Po dëgjojmë se Europa duhet të marrë një rol më proaktiv në botë, dhe po, siguria jonë na shqetëson, por po ashtu edhe mbrojtja e vlerave tona. Demokracia jonë është në rrezik, ekonomitë tona po mbyllen, shoqëritë tona po bëhen më të pasigurta dhe të polarizuara, dhe për shumë njerëz, Bashkimi ynë Evropian është nën presion dhe po kritikohet në mënyrë serioze.

Për më tepër, BE shpesh akuzohet për aplikimin e standardeve të dyfishta ose veprimin e njëanshëm kur bëhet fjalë për vlerat e tyre demokratike dhe të drejtat e njeriut. Po të shtojmë këtu problemin në rritje të strehimit të përballueshëm dhe kostos së jetesës, padrejtësitë sociale dhe mjedisore, divergjenca e mundësive që ofrohen nëpërmjet dhe brenda shteteve evropiane, përfshirë mes zonave urbane dhe rurale, dhe poashtu ndjesia se negociatat për zgjerimin e BE-së me shumë shtete aspirante janë ngujuar për një kohë të gjatë. Me të gjitha këto zhvillime, pakënaqësia dhe distancimi po shtohen mes brezave të ardhshëm, si brenda vendeve të BE-së ashtu edhe në vendet kandidate, dhe madje përtej kufijve të Evropës.

Çfarë duan Laura, Tesa, Ana dhe të gjithë ne?

Ne duam barazi për të gjithë! Nga rregullat që zbatohen njësoj për të gjitha vendet anëtare të BE-së, deri te politika që veprojnë duke u bazuar në nevojat e qytetarëve, nga niveli më i lartë deri tek ai lokal.

Na duhet një BE që vepron proaktivisht dhe reflekton realitetet e ndryshme të anëtarëve të saj, pa e vendosur pragmatizmin gjeopolitik dhe interesat e njëanshme si kriter të vetëm në procesin e vendimmarrjes. Një BE që njeh dhe shpërndan burimet sipas nevojave të vendeve anëtare, duke mbrojtur njëkohësisht bizneset dhe industritë lokale.

Një BE që, ndër të tjera, synon të integrojë plotësisht Ballkanin Perëndimor në Agjendën e Gjelbër, duke siguruar që përpjekjet për ndryshimet klimatike të mos jenë një pengesë, por një rrugë drejt anëtarësimit. Pamundësia për të përmbushur rregulloret mjedisore të BE-së pa mbështetje të mjaftueshme financiare dhe teknike vetëm sa thellon dallimin midis idealeve të BE-së dhe realitetit që përballin vendet kandidate.

Një Europë e jetueshme promovon qytetari të informuar, duke rritur transparencën në procesin e reformave dhe zgjerimit dhe duke ofruar informacion të thelluar dhe të qasshëm mbi motivet, negociatat dhe rezultatet. Në të njëjtën kohë, vendet kandidate duhet të mbajnë përgjegjësi për transformimin e vendeve të tyre përtej hapave të thjeshtë formal. BE-ja duhet të jetë e qëndrueshme dhe e guximshme në përpjekjet e saj, duke u bërë më e fortë dhe më e përgatitur për sfidat e së ardhmes.

Një Europë e jetueshme është një Europë e bashkuar. Duhet të vihet më shumë theks te kohezioni politik. Na duhet një BE që lufton në mënyrë aktive populizmin dhe nacionalizmin, si në vendet anëtare ashtu edhe në ato kandidate, duke investuar në menyrë domethënëse në arsim dhe duke komunikuar vlerat e tyre jo në mënyrë pasive, por përmes veprimit.

Shumë njerëz ndihen të shkëputur nga politikat europiane dhe nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin që ajo ka në jetën tonë të përditshme. Këtu hyn rëndësia e përçimit të dijes dhe ndërgjegjësimit si në vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe në vendet kandidate. Rrjedhat efektive të informacionit, proceset reale të pjesëmarrjes dhe fushatat e përshtatura për rajone të ndryshme mund të hedhin poshtë mitet, të sqarojnë keqkuptimet dhe të ndërtojnë mbështetje më të gjerë për BE-në dhe zgjerimin e tyre.

Europa jonë e jetueshme merr parasysh kontekstin unik të çdo vendi dhe rajoni dhe mban derën hapur për të gjithë ata që ndajnë vlerat evropiane. Komunikimi dhe pjesëmarrja duhet të fillojnë nga poshtë-lart, duke përfshirë shkollat dhe komunitetet lokale. Kjo qasje do t’i lejonte qeveritë lokale t’i bëjnë politikat e BE-së më të afërta dhe të zbatueshme për njerëzit e zakonshëm në nivel të komunitetit.

Një Europë që përmbush pritshmëritë e saj është e vetmja Europë e jetueshme. Dhe vetëm një Europë e jetueshme mund të krijojë një identitet evropian te brezat e rinj dhe t’u ofrojë atyre shpresë të re. Kjo është Europa që duam!

Ky artikull është shkruar gjatë “Cres Summer School” 2024 nga 18 të rinj.

Picture by Gerd Altmann on Pixabay.

Share on

Facebook

contact us

For more information about the project feel free to send us a Message.